Tuesday, February 16, 2010

Edukimi modern – historia, teoritë dhe filozofia e tij

Sejid Hussein Nasr

Për shumicën e myslimanëve të rinj të cilët ia mësyjnë Perëndimit, institucionet Perëndimore më së shumti të frekuentuara dhe ato me të cilat ata kanë eksperiencën më të përafërt, janë ato edukative. Kjo është po ashtu e vërtetë në njëfarë shkalle edhe për të rinjtë myslimanë të cilët studiojnë në institucionet e modernizuara edukative brenda botës islame, institucione të cilat janë kopje e atyre Perëndimore dhe janë themeluar qysh nga shekulli i XIII/XIX në shtete të ndryshme të botës islame me të vetmin qëllim që t’i ofrojnë myslimanëve studim modern. Prandaj, është tejet me rëndësi që të kemi një kuptim më të thellë të rolit dhe domethënies së edukimit dhe institucioneve edukative në Perëndimin modern si dhe të rrënjëve historike të edukimit Perëndimor.

Sikurse edhe në botën islame, gjithashtu edhe në Perëndim para periudhës së sekularizimit apo modernizimit gjatë Renesancës dhe shekullit të XI/XVII, edukimi ishte i ndërlidhur me fenë përderisa institucionet edukative kontrolloheshin çoftë direkt apo indirekt nga Kisha. Për më tepër, në Evropë ekzistonin edhe institucione edukative të ndara për minoritetin çifut kudo që ekzistonte një numër relativisht i madh çifutësh. Prandaj, shkollat në Evropën pri-moderne synonin të edukojnë të rinjtë sipas mësimeve teologjike, filozofike, ligjore dhe etike të Kishës, apo në rastin e çifutëve sipas fesë hebraike, kurse në shkallën më të lartë synohej përgatitja e nxënësve të krishterë për priftëri dhe pozita të rëndësishme klerikale, përkatësisht nxënësit çifut të bëheshin rabinë. Kjo situatë shumë të kujton shkollat Kur’anore, medresetë dhe institucionet tjera fetare në botën islame të vijuara nga nxënësit qysh nga një moshë e re. Megjithatë, edukimi ishte shumë më i shtrirë në botën islame se sa në Perëndimin pri-modern.

Në Mesjetën e hershme vetë institucionet edukative islamike filluan të kenë një influencë, sidomos në fushën e edukimit të lartë, mbi homologët e tyre Perëndimor përmes Spanjës, Sicilisë dhe Francës si dhe Italisë. Më saktë, i tërë sistemi kolegjial i cili u ngrit në universitetet moderne Perëndimore kishte një lidhje të ngushtë me sistemin islamik tëmedreseve i cili ka mbijetuar deri në ditët e sotme në botën islame. Shumë terme si ‘karrige’ të përdoruara në universitetet Perëndimore, janë përkthim direkt i fjalës arabekursisi dhe shumë praktika të tjera edukative të cilat kanë mbijetuar deri sot në institucionet më të vjetra të arsimimit të lartë në Perëndim me origjinë mesjetare sikurse që është Salamanka, Parisi, Bolonja, Oksfordi dhe Kembrixhi e që kanë ngjashmëri të thellë me sistemin klasik të edukimit islamik. Është gjithashtu me rëndësi të përkujtojmë se institucionet edukative Perëndimor, sidomos universiteti, nuk janë pjesë përbërëse e botës moderne dhe se në origjinën e tyre, sikurse edhe Kisha, i përkasin historisë pri-moderne të Perëndimit.

Qysh në fillim të zhvillimit të modernizmit, megjithatë, pjesa më e madhe e institucioneve edukative, edhe pse jo tërësisht, u rrëmbyen nga forca e modernizmit dhe edukimi modern për tu bërë mjeti më i rëndësishëm për ta quar më tej sistemin me vlerë të botës moderne, për përhapjen e sekularizmit dhe për të kritikuar pikëpamjet fetare. Përmes institucioneve edukative, u përhapen jo vetëm shkencat por edhe idetë që kishin të bënin me grumbullimin e pasurisë, zgjerimin e kufijve ekonomik dhe krijimin e lëvizjeve më të mëdha sociale brenda shoqërisë, një e vërtetë kjo sidomos në Amerikë dhe së fundi edhe në Evropë.

Procesit të sekularizimit të edukimit në Perëndim i është dashur disa shekuj dhe është larg kompletimit. Përveç sekularizimit të shumë e shumë institucioneve mësimore të cilat fillimisht ishin themeluar nga kisha, shteti themeloi edhe institucione të reja që kishin për detyrë të siguronin një ndarje në mes të institucioneve fetare dhe atyre të krijuara nga shteti ato organet tjera sekulare. Në disa shtete si Shtetet e Bashkuara apo Francë kjo ndarje në mes të edukimit fetar dhe atij sekular në institucionet e financuara nga shteti është mbajtur me rigorozitet pasi se qeveria dëshiron të jetë e sigurt se shkollat e financuara nga buxheti publik nuk kanë ngjyrime fetare. Në vende tjera si Britania e Madhe apo Gjermania nuk kemi të njëjtin rast andaj këtu qeveritë mbështetin edukimin fetar.

Përmes universalizimit të edukimit në kohët moderne, që nënkupton, themelimin e shkollave fillore dhe të mesme për të edukuar gati gjithë fëmijët si dhe përmes përhapjes së edukimit universitar tek një numër i madh i studentëve, edukimi sekular ka shtrirë influencën e tij. Në të njëjtën kohë, megjithatë, organet fetare, katolikë apo protestant, me sukses kanë arritur ta ruajnë sistemin e tyre edukativ që nga çerdhet e shkollat fillore deri tek universiteti. Për më tepër, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë edhe kësaj dite vazhdojnë së ekzistuari shkolla tradicionale çifute të quajtura Jeshivas të cilat në shumë mënyra ngjasojnë memedresetë islamike. Prandaj, nëse dikush vështron në fotografinë e përgjithshme të edukimit në Perëndim, ai mund të sheh se përderisa ka pasur një sekularizim të vazhdueshëm të institucioneve të vjetra të cila fillimisht ishin themeluar nga kisha të ndryshme bashkë me themelimin e institucioneve të shumta sekulare, ai gjithashtu mund të vërejë edhe vazhdimin e edukimit fetar në dy anët e Atlantikut pavarësisht nga dallimet e mëdha të filozofisë edukative të këtyre dy llojeve të institucioneve edukative, të quajtura, fetare dhe sekulare.

Qëllimet e arritura nga ky sistem edukativ i themeluar nga shumë shtete evropiane dhe ai amerikan, përfshijnë propagandimin e idealeve kombëtare dhe disa filozofive si sekularizmi i ri, nacionalizmi, utilitarizmi, mirëqenia publike, natyrisht duke përfshirë edhe qëllimet ekonomike të dala nga ideja e progresit material i cili në shekullin XIII/XIX gati sa nuk u bë fe në vete. Koncepti i edukimit në kuptimin klasik të trajnimit të mendjes dhe shpirtit nuk është zhdukur, sidomos në institucionet e vjetra edukative dhe në shkollat e financuara nga kisha, apo kudo që lulëzoi edukimi i arteve liberale, megjithëse është sfiduar seriozisht nga filozofia e edukimit modern. Si pasojë, sidomos universitetet, dhe përmes ndikimit të tyre edhe shkollat e mesme dhe fillore, në njërën anë janë shndërruar në një lloj ‘kishe sekulare’ për përhapjen e ideve sekulare, kurse profesorët dhe mësuesit në një shkallë kanë marrë rolin e priftërisë së dikurshme duke zotëruar autoritet të qartë në lëmit e tyre sidomos në fushën e shkencës. Gati të gjitha idetë e rëndësishme sekulare të cilat kanë tronditur themelet e fesë në botën moderne siç është evolucionizmi, ideja e progresit, sekularizmit doktrinar, psikanaliza, etj., e kanë origjinën ose janë përhapur nga institucionet moderne edukative duke u përhapur nga aty tek pjesët tjera të shoqërisë.Në anën tjetër, megjithatë, pikërisht ngase universiteti tërheq në vetvete zakonisht anëtarët më mendjehollë dhe më inteligjentë të shoqërisë dhe se vetë ky institucion para prinë ngritjen e modernizmit, universitetet kanë vazhduar të shërbejnë edhe në botën moderne si kritikë të asaj bote. Në të vërtetë, kritikat më të thukëta për idhujt e mendimit modern si progresi dhe të ngjashme kanë ardhur gjithashtu nga rrathët e universitetit, kështu që universiteti dikur ka qenë një mburojë për mbrojtjen dhe përhapjen e ideve moderne sekulare dhe në të njëjtën kohë një kritik i shumë ideve të cilat tani po e copëtojnë shoqërinë moderne.

Është e domosdoshme të nënvizojmë rolin me rëndësi të institucioneve edukative në Perëndim, sidomos që nga shekulli i XVII/XIX, për indoktrinimin e popullatës së gjerë me ideologji të ndryshme nga nacionalizmi tek Marksizmi, nga Komunizmi tek kapitalizmi Perëndimor, demokracia apo ideologji të tjera të cilat kanë dominuar në Perëndimin modern. Këtu, pikërisht për shkak të mbijetesës së burimeve fetare të edukimit të më hershëm dhe mbijetesës së shumë institucioneve edukative me orientim fetar, posaçërisht në Amerikë, ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistoj një konflikt i vazhdueshëm me plot tension në mes të ideologjive sekulare dhe ideve fetare.

Është vështirë për një student myslimanë të edukuar çoftë edhe në sisteme edukative semi-tradicionale islamike, të mos flasim përmedresetë klasike, për ta vërejtur se si mësimi i disa degëve të diturisë është ndarë nga vlerat fetare në edukimin modern. Është krijuar një dukuri e kompartmentalizimit jo vetëm të degëve të diturisë të ndara njëra nga tjetra pa unitet lidhës sikurse dëshmohet në ikonën tradicionale të degëve të ndryshme të lisit të diturisë të lidhura për një trung, por gjithashtu është bërë gati një ndarje e plotë në mes të diturisë dhe vlerave shpirtërore. Kjo mund të zbulohet gati në të gjithë universitetet Perëndimore përveç atyre që financohen direkt nga organizata fetare katolike, protestante apo çifute në të cilat vlerat e asaj feje haptazi u mësohen studentëve. Për shumicën e studentëve që shkojnë në të ashtu quajturat institucione të financuara nga shteti apo institucione sekulare, në fakt, refuzimi për mësimin e vlerave shpirtërore është konsideruar si esencial për ndarjen e fesë nga institucionet edukative. Prandaj, si mungesë e kësaj, dituria është ndarë nga spiritualiteti dhe morali.

Sa i përket vet moralit, pikërisht për shkak të ndarjes graduale të sistemit edukativ nga origjina e tij fetare, lind pyetja se çfarë lloj të moralit tani duhet mësuar nëse dikush merr në konsideratë moralin. Dimensioni etik i jetës është bërë relativ dhe ndonjë herë edhe është lënë anash pikërisht ngase mësuesit, shteti dhe institucione të shumta përgjegjëse nuk kanë qenë në gjendje të pajtohen se çfarë norma etike duhet t’u mësohen studentëve. Kjo ka rezultuar në një krizë serioze e cila tash ka filluar të manifestohet sidomos në mesin e gjeneratave të reja të Perëndimit pasi se normat e vjetra etike të cilat madje edhe Perëndimi modern sekular i kishte trashëguar nga Krishterimi gradualisht filluan të shuhen dhe zhduken.

Edukimi perëndimor andaj ndodhet në një shkallë të madhe nën grahmën e tensionit në mes të fesë dhe humanizmit sekular. Pika të betejave janë shënuar në shumë territore dhe tema që shtrihen që nga evolucionit kundër krijimit, teorive të ndryshme të shoqërisë, Evrocentrizmit kundër multi-kulturalizmit, çështja e domethënies së jetës, problemi i lidhshmërisë në mes fushave të ndryshme të diturisë dhe etikës si dhe shumë tema tjera bazë për filozofinë dhe teorinë e edukimit. Tensione gjithashtu ekzistojnë edhe në atë se çfarë do të thotë ‘objektivizëm’ në ngritjen edukative apo si duhet bërë prezantimi i një pikëpamjeje personale dhe i një filozofie tashmë të përkufizuar brenda së cilës praktika edukative duhet të ndodhë. Këto tensione dhe konflikte kanë rezultuar në zhdukjen graduale nga filozofia dhe teoria e edukimit edhe të vetë konceptit të së vërtetës. Sot, në shumë institute moderne Perëndimore të studimit dikush flet seriozisht për të vërtetën vetëm kur ka të bëjë me shkencat natyrore dhe matematikore, përderisa në ato humane, shkencat shoqërore dhe të ngjashme dikush rrallë mund të dëgjoj një mësues të flas për të vërtetën ku shumica e temave prezantohen në një mënyrë krejt relative sikur mos të ekzistonte diçka e tillë si e vërteta. Siç u tha më herët në këtë libër, shumë filozofë modern madje e mohojnë domethënien dhe rëndësinë e termit ‘e vërteta’.

Kompartmentalizimi i diturisë, që është karakteristikë e skenës mendore dhe intelektuale të botës moderne, jo vetëm që reflektohet në edukimin modern por edhe shkaktohet nga ai. Një numër i mendimtarëve të shquar Perëndimor kanë kërkuar ta tejkalojnë këtë ndarje të tepruar por nuk kanë pasur sukses ngase nuk ekziston më një botëkuptim i cili do t’i unifikonte disiplinat e ndryshme. Tashmë veç ekziston një ndarje në mes të shkencave natyrore e matematikore në njërën anë dhe shkencave shoqërore dhe së fundi atyre humane në anën tjetër, secila me perspektiva dhe metoda të ndryshme përderisa në rastin e shumë praktikantëve të këtyre disiplinave të fundit ekziston një tendencë për mposhtjen e shkencave natyrore.

Akoma diçka ka mbetur nga ideja e më hershme pri-moderne e arteve liberale, artes liberales të periudhës mesjetare, e cila ngjason bukur shumë me klasifikimin e diturisë dhe kurrikulën e përshkruar nga disa mendimtar dhe autor klasik myslimanë. Edukimi i arteve liberale, e cila mund të gjendet në Amerikë dhe Angli, ruan diçka nga uniteti i perspektivës e cila ishte karakteristikë e mësimit të Evropës mesjetare kur qytetërimi Evropian ishte një qytetërim fetar dhe integrues, në shumë mënyra i ngjashme me atë islam, sidomos në fushën e edukimit, por madje edhe kjo filozofi e shenjtë edukative tani është komprometuar në një shkallë të madhe nga theksimi i madh mbi shkencat natyrore dhe krijimit të asaj që quhen shkenca shoqërore të cilat mundohen t’ia kalojnë sa më tepër që munden metodave të shkencave kuantitative për t’i aplikuar ato në shoqëri si të tilla. Shkencat shoqërore, për më tepër, kërkojnë të gëlltitin ato humane. Si rezultat, vet shkencat humane po luftojnë fort për të mbijetuar si humane.

Është me rëndësi të nënvizohet këtu, sa i përket studentit të ri mysliman, se shumica e myslimanëve që vinë për të studiuar në institucionet Perëndimore rrallë i qasën temës së shkencave humane seriozisht. Shumica syresh studiojnë shkencat, mjekësin ose inxhinierinë, përderisa shkencat humane ju duken si jo relevante. Në vetë botën islame gjithashtu ekziston një krizë e thellë në universitetet e themeluara moderne pikërisht ngase sistemet nga Perëndimi janë transplantuar në atë botë pa integrimin më të vogël në mes të shkencave humane, e cila duhet të nxirret krejtësisht nga burime Islame, disiplinat moderne dhe shkencave që janë importuar nga Perëndimi.

Në çfarëdo rasti, çoftë në Perëndim apo diku tjetër, institucionet edukative moderne, të cilat janë depot e diturisë dhe të cilat e konsiderojnë vetën si gardianë kryesorë të qytetërimit Perëndimor modern, mbajnë brenda vetës farën e konflikteve të thella sa i përket filozofisë dhe teorive të edukimit,këto konflikte që reflektojnë dhe burojnë nga ndarja e krijuar në lindjen e periudhës moderne në mes të fushës së diturisë dhe fushës të së shenjtës siç theksohet në fe. Shumë institucione edukative Perëndimore akoma ruajnë diçka nga e kaluara e tyre mesjetare por ka edhe shumë inovacione të bazuara në pikëpamjet e njeriut si krejtësisht tokësore dhe jo-fetare të definuar nga filozofët e shekullit të XII/XVIII dhe XIII/XIX apo si një dhëmb i vetëm në makinën sociale të mbështetur nga teoriticientë pozitivist dhe Marksistë që nga shekulli i XIII/XIX. Këto institucione edukative, qëndrojnë në një gjendje të tensioneve konstante me institucionet fetare dhe madje edhe me humanizmin e më hershëm i cili kërkonte të shoh qenien njerëzore si tërësi që ka nevojë për zhvillimin e dy aspekteve atij mendor dhe shpirtëror.

Nuk ka dyshim se edukimi modern Perëndimor ka ushtruar një ndikim të hatashëm mbi botën islame. Ky ndikim ka ardhur si rezultat i një numri të madh të studentëve myslimanë të cilët dërgohen në Perëndim dhe të cilët nganjëherë janë të hutuar të shohin konfliktet në mes të asaj që mësohet në ligjërata dhe shërbimeve të së dielës, në mes të disa studentëve të cilët janë shumë fetar dhe tjerëve që janë krejtësisht kundër fesë, të gjitha këto përfaqësojnë ndarjen mes vlerave etike dhe shkencës në edukimin Perëndimor. Por ndikimi i edukimit Perëndimor në botën islame gjithashtu ndihet edhe përmes prezencës së institucioneve edukative moderne përbrenda vetë botës islame ku sot mbretëron një krizë e madhe e cila rezulton nga konflikti i tyre me institucionet tradicionale të mësimit të cilat kanë filozofinë e tyre të bazuar mbi harmonin e diturisë, skllavërisë së njeriut ndaj Zotit, centralizimit të Shpalljes Hyjnore dhe të gjithë principeve tjera që karakterizojnë botëkuptimin Islamik. Ky konflikt në një shkallë të lartë gjithashtu mund të shihet edhe në shkollat e mesme dhe ato fillore në qytetet më të mëdha të disa shteteve islame ku modelet Perëndimore janë kopjuar në një formë apo tjetër zakonisht të varura në rastësitë e historisë. Një shtet i kolonizuar nga Britania e Madhe kopjonte modelet britanike sikurse në rastin e Pakistanit dhe Indisë myslimane apo Nigerisë; nëse ka qenë e kolonizuar nga Franca atëherë modelet franceze janë kopjuar sikurse mund ta shohim në Afrikën Veriore dhe nëse ka qenë e kolonizuar nga Holandezët atëherë modelet holandeze sikurse mund të shihet në Indonezi. Për më tepër, modelet edukative amerikane gjithashtu janë inkorporuar në shumë toka myslimane gjatë dekadave të fundit shpesh të mbivendosura në modelet e më hershme Evropiane.

Sot, kuptimi i edukimit modern Perëndimor për nga historia dhe filozofia e tij është absolutisht esencial për studentin mysliman jo vetëm për ta mbrojë vetën e tij/saj çfarë ai person studion në Perëndim, por gjithashtu për të kuptuar konfliktin përbrenda botës islame të te dy institucioneve edukative dhe filozofisë së tyre, të cilat prodhojnë të diplomuar të cilët i takojnë të njëjtit vend, flasin gjuhën e njëjtë por kanë dy botëkuptime shumë të ndryshme. Këto botëkuptime, për më tepër, reflektohen në secilin nivel që nga roli i mësuesit i cili në Islam konsiderohet të ketë një pozitë të lartë në shoqëri deri në atë shkallë sa që ekziston një thënie e cila i atribuohet Aliut se ‘ai i cili më mëson një fjalë të vetme, do t’i bëhem robi i tij’, deri te roli i studentit brenda atij institucioni, deri tek relacioni mes diturisë dhe etikës, mes shkencës dhe fesë, përmbajtja e plan-programit, domethënies dhe qëllimit të edukimit dhe gjithë elementeve tjera fondamentale që përmban edukimi. Në botën islame sikurse edhe në Perëndim edukimi gjithmonë ka qenë kryesor ngase është përmes edukimit që gjenerata e re edukohet që të bartë dhe të qoj përpara idealet, normat dhe principet e një shoqërie.

Përktheu:

Jeton Mehmeti

Tetor 2008 – Budapest


Pjesë nga libri A young Muslim’s Guide to the Modern World

No comments: